Informacion i përgjithshëm në lidhje me materialet, çmimet dhe pikat e shitjes

By Knauf
December 28, 2020

Tashmë e dimë të gjithë se një izolim cilësor është i domosdoshëm për një jetesë të rehatshme dhe të shëndetshme në banesat tuaja, si dhe jetëgjatësinë e tyre. Pavarësisht kësaj, ka shumë paqartësi dhe pyetje që ju ndani çdo ditë me ne, përmes postës elektronike, telefonit apo rrjeteve sociale. Ndër vite, ne i kemi mbledhur dhe grupuar sipas tematikave të gjitha pyetjet tuaja, duke filluar nga ato më të përgjithshme deri tek ato më specifike dhe të detajuara, si dhe përgjigjet për to. Gjithçka është përgatitur për ju nga inxhinierët tanë të mbështetjes teknike.
Në vijim, ju ftojmë të lexoni pyetjet dhe përgjigjet e plotësuara dhe të përditësuara – në lidhje me gjithçka që keni dashur të dini për izolimin me leshin mineral.

1. Përse është leshi i gurit më i mirë se polisteroli?

Leshi mineral, qoftë xhami apo guri, si një material izolues ndërtimi, merret nga lëndë të para natyrore, guri ose xhami dhe përbëhet nga një seri fibrash të ndërthurura (tek leshi i gurit janë më të shkurtra, tek lesh i xhamit pak më të gjata). Struktura fibroze ju lejon të 'kapni' një sasi të madhe ajri brenda vetë produkteve - dhe ajri është izoluesi më i mirë! Ndryshe nga disa materiale të tjera, vetitë e leshit të gurit dhe xhamit janë të qëndrueshme dhe nuk ndryshojnë me kalimin e kohës.


Përveç faktit që ai ka një funksion termoizolues, leshi i gurit është gjithashtu një izolues akustik. Ndryshe nga polisteroli, leshi mineral është një material jo i djegshëm ndaj vetëm fasadat me lesh guri mund të trajtohen dhe klasifikohen si sisteme fasadash jo të djegshme.


Një tjetër veti e fasadës me lesh guri është përshkueshmëria e avullit, muret me lesh "marrin frymë", d.m.th. ato lejojnë të dalë avulli nga brendësia, veti e cila përmban një avantazh shumë të rëndësishëm në krahasim me llojet e tjera të materialeve izoluese termike (p.sh. polisteroli paraqet 30-40 herë më shumë rezistencë ndaj kalimit të avujve të ujit në krahasim me leshin e gurit).


2. Sa është çmimi i leshit për metër katror (materiali dhe instalimi)?

Kjo është ende një nga pyetjet më të shpeshta, por nuk mund t'i jepet një përgjigje e vetme, sepse varet nga shumë faktorë:

• A është prej lesh guri apo lesh xhami?
• Për çfarë qëllimi ju nevojitet produkti dhe cila është trashësia që duhet të instalohet? Ka ikur koha kur leshi izolues shitej ‘me kilogramë’, sot gjëja më e rëndësishme është të dini se ku duhet të instalohet leshi, kështu që në bazë të kësaj do t'ju rekomandohet një produkt që ka karakteristikat e nevojshme pikërisht për atë që ju nevojitet.
Pasi të jeni njohur me këto parametra, ne ju drejtojmë tek një nga pikat e autorizuara të shitjes ku do të merrni një ofertë konkrete.

3. Sa është çmimi i leshit të fasadës për metër katror (materiali dhe instalimi)?

Lesh i gurit është vetëm një nga komponentët e sistemit të fasadave kontaktuese; ka gjithashtu kollë, grafiato, si dhe elementë të tjerë shoqërues (rrjeta, upat, profilet, këndore, pikore etj). Duke pasur parasysh këtë, ne do të përpiqemi të japim një përgjigje të përafërt: për fasadën termike FKD-S me trashësinë e pllakës së izolimit 10 cm, çmimin e sistemit, përfshirë “skelerinë dhe krahun e punës“- domethënë, me punimet e përfshira, është afërsisht 25-30 euro/m2. Gjithsesi, duhet të keni parasysh që nuk është e leverdisshme të jepni vlerësime të përgjithësuara mbi çmimin, sepse çmimet varen nga prodhuesi i zgjedhur i kollës dhe grafiatos, përvojës së ustait, llojit dhe kompleksitetit të objektit, sipërfaqes, vendndodhjes dhe të tjera.

4. Në cilin vend në qytetin tim mund të blej lesh guri /xhami Knauf Insulation?

Në faqen tonë të internetit, ka një seksion kërkimi ku mund të gjeni të gjitha pikat e shitjes sipas qyteteve, të blini produktet tona dhe të shikoni sugjerimet përkatëse.

5. Sa energji kursehet duke përdorur materialet tuaja?

E gjitha varet nga karakteristikat specifike të objektit tuaj. Rregulli që vlen gjithmonë është: sa më shumë - aq më mirë ose - sa më i trashë të jetë izolimi, aq më i madh është kursimi. Investimi në izolimin termik të një ndërtese është në të vërtetë një investim që kthehet, në shumicën e rasteve, brenda 4-6 viteve, përmes faturave të energjisë elektrike të reduktuara për ngrohjen dhe ftohjen e ndërtesës.

6. A mund të ngjitet leshi i gurit në sipërfaqe të paniveluara?

Kjo pyetje është mjaft specifike, por në fakt niveli i sipërfaqes duhet të kontrollohet përpara se të filloni me procesin e ngjitjes së pllakave të leshit të gurit. Kjo bëhet duke vendosur një mjet të quajtur “nivelues”ose mastar pranë murit dhe duke kontrolluar në qoftë se ka boshllëqe/devijime (këto rregulla janë vendosur nga prodhuesit e sistemeve të fasadave dhe shkojnë nga rreth 1 cm deri në 3 m në gjatësi të murit). Çdo gjë jashtë këtyre parametrave nuk është një sipërfaqe e pranueshme për ngjitje, kështu që duhet të rrafshohet me suvatim para se të fillojë ngjitja.


Në praktikë, ustallarët shpesh përdorin aplikimin e një trashësie më të madhe kolle, në vend të suvatimit, sepse është më e lehtë për ta. Kjo mund të përbëjë problem, sepse një shtresë kolle tepër e trashë për ngjitjen e pllakës mund të bëjë që pllakat të shkëputen nga sipërfaqja dhe të rrezikojnë funksionalitetin e të gjithë fasadës. Pra, së pari niveloni sipërfaqen duke e suvatuar, dhe vetëm atëherë mund të ngjisni pllakat. Ky veprim mund të duket i tepërt për ju, por është gjithashtu shumë i rëndësishëm për jetëgjatësinë dhe cilësinë e fasadës.


7. Më intereson nëse ulet rezistenca termike e izolimit me lesh guri ose xhami, dhe në çfarë vlere, nëse vendosim një izolim 10 cm të trashë me shtypje të lehtë në një mur prej 8 cm të trashë dhe a është më mirë të vendosim 8 cm izolim apo 10 cm në një mur të tillë?

Kur keni hapësirë ​​të kufizuar dhe si rrjedhojë dhe vetë trashësia e izolimit që mund të përdorni është e kufizuar, është gjithmonë një zgjidhje më e mirë të përdorni një material që ka karakteristika më të mira termike (konkretisht λ - Lambda) sepse në atë mënyrë ju merrni saktësisht atë që dëshironi - në vend të leshit 10 cm me lambda "më të keqe", ju mund të "kaloni" me produkt të trashë 8 cm me një Lambda "më të mirë". Duke e ngjeshur produktin dhe mos respektuar specifikimet e fabrikës, ne dobësojmë rezistencën termike të materialit, kështu që nuk rekomandohet. Shënim i rëndësishëm: sa më e ulët vlera e Lambda (λ), aq më mirë janë karakteristikat termike të materialit. Për leshin e gurit, në varësi të produktit, Lambda ndryshon nga 0.034 deri në 0.039 W/m.K

8. Do të doja të vlerësonit materialin e nevojshëm dhe punën që duhet bërë për izolimin cilësor të mureve të jashtëm dhe çatisë.

Sa për muret e jashtme, sugjerimi ynë është të përdorim për izolimin e tyre min. 10 cm lesh guri FKD-S Thermal, dhe çmimi i përafërt i të gjithë sistemit (i cili përfshin dhe kollën dhe shtresat përfundimtare të fasadës) me instalim mund të jetë nga 25-30 euro / m2, në varësi të përbërësve të tjerë të zgjedhur.

Për sa i përket vlerësimit të kostove të punimeve në papafingo, në faqen tonë ju mund të kërkoni një ofertë konkrete nga distributoret tanë.

9. Jam në mëdyshje, është më e leverdishme kostoja për të instaluar lesh guri me trashësi 10 cm (pllaka me leshi guri NaturBoard FIT) apo lesh xhami NatuRoll Pro me të njëjtën trashësi, d.m.th. cili është ndryshimi në aspektin e energjisë? Faleminderit paraprakisht.

NaturBoard FIT (leshi guri) ka një koeficient të përçueshmërisë termike prej 0.038 W/mK ndërsa Naturoll Pro (lesh xhami) 0.039 W/mK, që do të thotë se në teori NaturBoard FIT është një produkt pak më i mirë për sa i përket fuqisë së izolimit termik (sa më e ulët është Lambda - aq më mirë).


Një argument tjetër në favor të leshit të gurit: në muajt e ngrohtë, leshi i gurit ka qëndrueshmëri më të mirë termike, d.m.th koha pas së cilës ai do të lëshojë nxehtësinë në hapësirë ​​është më e gjatë se sa në rastin me lesh xhami.

10. Jam duke rinovuar shtëpinë dhe do të doja që ajo të ishte një shtëpi që e mban ngrohtësinë, jam i interesuar për mendimin tuaj. Dua të bëj punimet e ndërtimit nga brenda, në mure dhe tavan, ta izoloj me lesh dhe të mbyllet me suva. Është një shtëpi në katin përdhes rreth 100 m2. Muret janë të trasha 30 cm, të mbuluara me beton në pjesën e jashtme dhe tullë të plotë në pjesën e brendshme, ndërtim i vjetër. Sigurisht, kam në plan të mbuloj pjesën e jashtme me të njëjtin izolim, lesh mineral. Atëherë, cilin lesh më këshilloni për muret e brendshme dhe cilat trashësi për ato të jashtme?

Për pjesën e jashtme, ne rekomandojmë një fasadë kontaktuese me lesh guri FKD-S Thermal. Nëse fasada është bërë siç duhet në pjesën e jashtme dhe me një trashësi të përshtatshme me lesh guri (do të ishte optimale 10 cm, por zbatohet parimi: sa më shumë - aq më mirë), nuk ka nevojë të bëni izolimin e të njëjtave mure në pjesën e brendshme. Nëse e kishit fjalën për izolimin e mureve ndarëse midis dhomave, atëherë mund të përdoret e ashtuquajtura veshja e murit në njërën anë të murit, e cila përbëhet nga një strukturë metalike Knauf në të cilën është vendosur lesh guri NaturBoard FIT-G PLUS, mbi leshin vendoset një membranë avulli Homeseal LDS 35 dhe gjithçka mbyllet me pllaka gipsi Knauf.

 

11. Sa është koeficienti i difuzionit të avullit të leshit të gurit, me të cilin propozoni izolimin termik?

Vlera e koeficientit të difuzionit të leshit të gurit është afër numrit 1.